Mesazh nga Kryetari i Gjykatës
Mirë se erdhët në faqen zyrtare të Gjykatës Komerciale të Kosovës
Kjo faqe interneti mundëson qasje të lehtë, të drejtë dhe të barabartë në të gjitha informatat në lidhje me punën, funksionimin dhe shërbimet që ofrohen nga Gjykata Komerciale e Kosovës.
Ky portal gjyqësor do të përmbajë të gjitha informacionet, të cilat janë në interes të mediave dhe publikut. Statusi i lëndës, aktgjykimet/vendimet gjyqësore, raportet statistikore, vendimet e kryetarit për procedurën disiplinore, plani i punës; mekanizmi i përcjelljes së rasteve individuale; anketa për vlerësimin e shërbimeve që ofron gjykata; orari i seancave gjyqësore si dhe të gjitha informacionet e tjera lidhur me shërbimet tjera gjyqësore që kryen gjykata jonë, kërkesat online për certifikatat e biznesit/organizatave të tjera, do të jenë përmbajtja e këtij ueb portali, me qëllim që qytetareve t’iu lehtësohet qasja në drejtësi dhe shërbime gjyqësore.
Gjykata Komerciale u krijua në gusht të vitit 2022 për të promovuar një klimë të favorshme investimi dhe për të rrënjosur besimin në komunitetin e biznesit. Krijimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, është bërë me qëllimin kryesor – përmirësimin e efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve dhe shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, që bien në kompetencë të kësaj gjykate, profilizimin e gjyqtarëve dhe rritjen e vazhdueshme të ekspertizës në këtë fushë.
Gjykata Komerciale do të përmbushë kërkesat e përcaktuara edhe sipas standardëve ndërkombëtare për trajtimin e çështjeve gjyqësore, por edhe përmbushjen e të gjitha kërkesave të bizneseve, ashtu që ato të operojnë me ritmin e tyre, pa qenë procedurat gjyqësore pengesë në operimin e tyre, me qëllimin e vetëm që gjykata të jetë shembull në vend dhe rajon, e cila, presim që të garantojë siguri juridike për investitorët e huaj, sepse me rritjen e efikasitetit dhe vendimeve cilësore, investitorët potencial nuk do të hezitojnë të investojnë në Kosovë.
Përveç rritjes së shpejtësisë së kryerjes së një lënde, kjo gjykatë do të eliminojë duplifikimin e procedurës, pasi Gjykata Komerciale është strukturuar në atë mënyrë që të gjitha çështjet të jenë të adresuara dhe trajtuara në të njëjtën gjykatë përfshirë procedurën përmbarimore, përmes Dhomave të Shkallës së Parë dhe Dhomave të Shkallës së Dytë, e cila mundëson që të përshpejtohen procedurat dhe të eliminojë vonesat e panevojshme.
Ju faleminderit për vizitën Tuaj.
Mahir Tutuli – Kryetar i Gjykatës Komerciale të Kosovës