Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Komerciale, funksionon Divizioni për Kontestet Lidhur me Investitorët e Huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës.
Sipas Ligjit për Investimet e huaja, investitor i huaj është çdo person i huaj që bën investime në Kosovë, ndërsa person i huaj: çdo person fizik që është shtetas i një vendi të huaj, çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Kosovës, por ka vendbanim jashtë vendit, një person juridik i themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj.
Ndërsa Investim i huaj, çdo aset në pronësi apo ndryshe ligjërisht e mbajtur nga një Person i huaj në Republikën e Kosovës me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të ligjshme Komerciale që përcaktohet sipas këtij ligji.
Gjykata Komerciale e Kosovës – Divizioni për Investime të Huaja, ofron mbrojtje gjyqësore për çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një investim i huaj ose që ka lidhje me të. Shqyrton dhe vlerëson pretendimet e investitoreve të huaj për të gjitha të drejtat e një investitori të huaj lidhur me investimet e huaja në Republikën e Kosovës, posaçërisht kur ato të drejta lidhen me pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, pronën intelektuale dhe asetet tjera, të drejtën e kontraktimit, dhe të drejtat e krijuara me këtë ligj.
Të gjitha rastet në këtë divizion shqyrtohen dhe gjykohen nga gjyqtari individual.
Të gjitha ankesat ndaj vendimeve të dhomave të shkallës së parë brenda kompetencave të shkallës së parë, që janë parashtruar brenda afatit të caktuar siçpërcaktohen me ligj, shqyrtohen dhe gjykohen nga kolegji prej tre gjyqtarëve ne Dhomat e Shkallës së Dytë, pranë Gjykatës Komerciale.