Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Komerciale Nr. 08/L-015, Departamenti për Çështje Administrative që vepron në kuadër të Gjykatës Komerciale të Kosovës , gjykon dhe vendos në konfliktet administrative sipas padive kundër akteve administrative përfundimtare dhe ka juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Akt administrativ është çdo vendim i ndonjë administrate publike, qeverie qendrore dhe organi tjetër që është rezultat i një procedure administrative mbi ushtrimin e autorizimeve publike. Gjykata vendos lidhur me ligjshmërinë e akteve administrative finale.
Departamenti për Çështje Administrative shqyrton dhe gjykon të gjitha kontestet administrative të inicuara nga shoqëritë tregtare kundër vendimeve përfundimtare në procedurë administrative.
Të gjitha çështjet në Departamentin për Çështje Administrative gjykohen nga një (1) gjyqtar profesionist, përpos nëse me ligj nuk parashihet ndryshe.