Sistemi gjyqësor i Kosovës ekziston për t’i shërbyer interesit të publikut. Sistemi gjyqësor i Kosovës i përket të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht origjinës së tyre kombëtare, etnisë apo gjinisë.Gjykata Komerciale e Kosovës është themeluar me Ligjin nr.08/L-015 për Gjykatën Komerciale të Kosovës, brenda kornizës ekzistuese të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe vepron në përputhje me parimet e saj. Gjykata Komerciale vepron si gjykatë e shkallës së parë dhe gjykatë e shkallës së dytë.Gjykata Komerciale e Kosovës gjykon të gjitha kontestet tregtare dhe konfiliktet administrative, siç përcaktohet me ligjin për Gjykatën Komerciale.Gjykata Komerciale gjykon çështjet brenda kompetencës së saj, me juridiksion për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë.
INFORMACION I RËNDËSISHËM:
Dhomat e Shkallës së Parë janë kompetente për të shqyrtuar dhe gjykuar në shkallë të parë nga gjyqtari individual të gjitha çështjet në kompetencë të Gjykatës Komerciale, ekuivalente me Gjykatat Themelore.
Me qëllim të mundësimit të një procesi efikas, në Dhomat e Shkallës së Parë, proceset gjyqësore shqyrtohen nga :
– Departamenti për Çështje Ekonomike, në kuadër të së cilit funksionon Divizioni lidhur me Kontestet me Investitorët e huaj
– Departamenti Fiskal
– Departamentin për Çështje Administrative
– Departamenti i Përgjithshëm
Dhomat e Shkallës së Dytë veprojnë si gjykatë e shkallës së dytë dhe gjykojnë të gjitha lëndët e pranuara pas ankesës nga nga Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale. Të gjitha rastet në Dhomat e Shkallës së Dytë, vendosen në në kolegj prej tre (3) gjyqtarëve profesionistë, përveç nëse me ligj përcaktohet ndryshe, ndërsa janë kompetent për të trajtuar:
– Të gjitha ankesat ndaj vendimeve të dhomave të shkallës së parë brenda kompetencave;
– Të gjitha ankesat ndaj një urdhri për transferimin, apo refuzimin për transferim, të një rasti brenda departamenteve të shkallës së parë, që janë parashtruar brenda afatit të caktuar;
– Konfliktet e juridiksionit nga dhomat e shkallës së parë, brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve;
– Çështjet e tjera siç mund të parashikohen me ligj.
– Lidhur me konfliktin e juridiksionit në mes të Gjykatës Komerciale dhe gjykatave tjera vendos Gjykata Supreme e republikës së Kosovës.
Gjykata Komerciale e Kosovës, ka nisur së funksionuari nga 1gusht 2022. Gjykata Komerciale gjendet në Prishtinë dhe ka juridiksion territorial në tërë Republikën e Kosovës, ndërsa veprimtarin e saj e ushtron në Pallatin e Drejtësisë – Hajvali.
Administrata e Gjykatës Komerciale të Kosovës, është e organizuar përmes: Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media; Njësisë Ligjore; Zyrës së Administratorit; Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve; Zyrës për Shërbime të Përbashkëta dhe Zyrës për Buxhet dhe Financa.