Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike, funksionon Divizioni për kontestet lidhur me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës. Sipas Ligjit për Investimet e huaja, investitor i huaj është çdo person i huaj që bën investime në Kosovë, ndërsa person i huaj: çdo person fizik që është shtetas i një vendi të huaj, çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Kosovës, por ka vendbanim jashtë vendit, një person juridik i themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj. Ndërsa Investim i huaj, çdo aset në pronësi apo ndryshe ligjërisht e mbajtur nga një Person i huaj në Republikën e Kosovës me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të ligjshme Komerciale që përcaktohet sipas këtij ligji. Gjykata Komerciale – Divizioni për Investime të Huaja, ofron mbrojtje gjyqësore për çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një investim i huaj ose që ka lidhje me të. Shqyrton dhe vlerëson pretendimet e investitoreve të huaj për të gjitha të drejtat e një investitori të huaj lidhur me investimet e huaja në Republikën e Kosovës, posaçërisht kur ato të drejta lidhen me pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, pronën intelektuale dhe asetet tjera, të drejtën e kontraktimit, dhe të drejtat e krijuara me këtë ligj.