Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Komerciale Nr. 08/L-015, Departamenti për Çështje Ekonomike që vepron në Gjykatën Komerciale të Kosovës është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.
Departamenti për Çështje Ekonomik i Gjykatës Komerciale, ka kompetencë për të shqyrtuar:
Kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, si dhe kontestet ndërmjet personave juridikë publikë dhe privat, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare dhe çështje tjera mes tyre;
Të gjitha mjetet juridike, siç përcaktohet me ligjin e aplikueshëm për procedurën përmbarimore, për çështje brenda kompetencës të kësaj gjykate;
Njohjen dhe lejimin e zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar;
Kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare;
Riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare;
Mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnët industriale, sekretet tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale, siç parashihet nga legjislacioni përkatës;
Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike, funksionon edhe Divizioni për Kontestet lidhur me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës. Gjyqtarët e emëruar në këtë Divizion, do të angazhohen edhe në departamentet tjera të Gjykatës, sipas nevojës. Si rregull i përgjithshëm, të gjitha rastet pranë Departamentit për Çështje Ekonomike gjykohen nga një (1) gjyqtar profesional.
Departamenti i Çështjeve Ekonomike përkujdeset që kontestet e natyrës ekonomike të zgjidhen në një mënyrë sa më efikase dhe që mjedisi i biznesit në Kosovë të jetë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare.
Për më shumë informacione, ju lutem shikoni Ligjin për Gjykatën Komerciale Nr. 08/L-015 (hyperlink të ligjit).