Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi për Digjitalizimin e Gjykatës Komerciale

Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi për Digjitalizimin e Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 7 korrik 2023 – Në një ceremoni zyrtare në ambientet e Gjykatës Komerciale, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), dhe Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për Digjitalizimin e Gjykatës Komerciale.

Kryesuesi i KGjK-së – Albert Zogaj, duke falënderuar drejtues të Programit për Drejtësi Komerciale të USAID, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, theksoi rëndësinë e digjitalizimit për përmirësimin e drejtësisë komerciale në Kosovë. Ai shprehu besimin se nga ky memorandum do të ketë ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme në sistemin gjyqësor komercial.

Kryetari i Gjykatës Komerciale Mahir Tutuli, me këtë rast duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që nga themelimi i gjykatës nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, tha se digjitalizimi është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të Gjykatës Komerciale, duke shtuar ky projekt do të forcojë tutje kapacitetet e gjykatës dhe do të sigurojë një sistem më efikas dhe të besueshëm për menaxhimin e lëndëve.

Në anën tjetër Chris Thompson, drejtori i Programit për Drejtësi Komerciale, theksoi se ky memorandum synon të përmirësojë qasjen e Gjykatës Komerciale në digjitalizim dhe të krijojë mundësi për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në procesin gjyqësor komercial.

Memorandumi i Bashkëpunimit adreson sfidat aktuale të digjitalizimit dhe përfshin hapa konkrete për përmirësimin e sistemit gjyqësor komercial nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, programi synon të fokusohet në mbështetjen e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) si burimi kryesor i të dhënave për proceset plotësuese për vendimet e administrimit dhe menaxhimit.

Nëpërmjet këtij Memorandumi, palët harmonizojnë planet e tyre për angazhimin e përbashkët në procesin e digjitalizimit të Gjykatës Komerciale. Përmes këtij memorandumi programi synon të përkrahë KGjK-në në digjitalizimin e proceseve në Gjykatën Komerciale përmes masave të ndryshme, duke përfshirë krijimin e modulit për menaxhimin e treguesve të performancës (KPI), zgjerimin e Platformës së të Dhënave të Hapura (ODP), mbrojtjen ose klasifikimin e të dhënave, vërtetimin përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) EDI, si dhe implementimin e aplikacionit celular për njoftim dhe lidhjen e Regjistrit të Llogarive Bankare (RLLB) me SMIL.