Diskutohen përpjekjet për përmirësimin e efikasitetit dhe qasjen në drejtësi në Gjykatën Komerciale

Diskutohen përpjekjet për përmirësimin e efikasitetit dhe qasjen në drejtësi në Gjykatën Komerciale

Istog – 18, 19 prill 2023 – Kryetari i Gjykatës Komerciale Mahir Tutuli, gjyqtarët e Shkallës së Dytë dhe gjyqtarët e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, po marrin pjesë në punëtorinë dyditore të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) me mbështetjen e Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale.

Kryetari Tutuli me këtë rast paraqiti analizën e gjendjes aktuale për arritjen e objektivave të përcaktuara në Gjykatën Komerciale, si dhe Planin e Veprimit për reduktimin e lëndëve në Gjykatën Komerciale për periudhën Maj – Dhjetor 2023.

Në anën tjetër kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, gjatë dy ditëve të punëtorisë deklaroi se KGjK, mbetet e përkushuar në ofrimin e mbështetjes për realizimin e objektivave, ngritjen e kapaciteteve të stafit mbështetës dhe përmirësimin e qasjes në drejtësi në Gjykatën Komerciale.

Gjatë punëtrisë dy ditore, u trajtuan edhe sfidat që kanë të bëjnë me funksionimin e plotë të Gjykatës Komerciale, ngritjen e kapaciteteve të stafit mbështetës, zbatimin e planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi, efikasitetin dhe prioritizimin e rasteve brenda sistemit gjyqësor.  Temat e tjera të diskutimit përfshinë koordinimin e logjistikës, arkivat, statistikat dhe ndërmjetësimin, programet e trajnimit dhe dixhitalizimin e Gjykatës Komerciale.

Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale ka mbështetur përpjekjet e sistemit gjyqësor, përkatësisht Gjykatës Komerciale në funksionalizimin e plotë të saj për të përmirësuar qasjen në drejtësi dhe për të ngritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë. 

KGjK dhe partnerët e saj vazhdojnë të punojnë drejt ngritjes së standardit të drejtësisë dhe rritjes së besimit publik në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Gjykata Komerciale mbetet e përkushtuar për të ofruar drejtësi për të gjithë duke promovuar sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.