Prishtinë, 15 janar 2025 – Nënkryetari i Gjykatës Komerciale të Republikës së Kosovës Hasan Kryeziu dhe gjyqtari i kësaj gjykate Arnis Dumani, patën kënaqësinë të takohen me Drejtorin e Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale z. Chris Thompson si dhe përfaqësues tjerë të këtij Programi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për përpjekjet e përbashkëta dhe koordinimin e aktiviteteve të ardhshme, që kanë për qëllim fuqizimin e Gjykatës Komerciale.
Takimi u përqendrua në nisma strategjike për të përmirësuar efikasitetin gjyqësor dhe qasjen në drejtësi, ku ndër të tjera u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në Gjykatën Komerciale për:
Publikimin e Buletinit të Parë të Praktikës Gjyqësore të Gjykatës Komerciale; Zhvillimin dhe zbatimin e Treguesve Kryesorë të Performancës për të matur progresin e Gjykatës dhe për të identifikuar fushat për përmirësim; Organizimin e aktiviteteve që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit të Gjykatës dhe unifikimin e praktikës gjyqësore; Dokumentet raportuese dhe strategjike të Gjykatës Komerciale.
Gjykata Komerciale me këtë rast, shprehu mirënjohjen ndaj programit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kontribuon në rritjen e efikasitetit të Gjykatës dhe garantimin e drejtësisë së qasshme për të gjithë.