Prishtinë – 2 tetor 2024 – Gjykata Komerciale e Kosovës, nën mbështetjen e Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale organizoi punëtorinë e dytë për unifikimin e praktikës gjyqësore të rasteve komerciale.
Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtarë të Gjykatës Supreme, gjyqtarë të Gjykatës së Apelit si dhe kryetari dhe gjyqtarë nga Gjykata Komerciale.
Gjatë takimit diskutimi u përqendrua në unifikimin e praktikës gjyqësore të rasteve komerciale, dhe shkëmbimi i përvojave nga Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit, ku gjyqtarët dhanë këndvështrimet e tyre për qasjet që do të ndihmonin në unifikim.
Tutje gjatë takimit u prezantua Draft – Udhëzuesi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Komerciale dhe procesi i përgatitjes si dhe përmbajtja e Buletinit të parë të Gjykatës Komerciale, që është në përfundim e sipër. Kjo përpjekje bashkëpunimi është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi gjyqësor komercial më të suksesshëm dhe efektiv në Kosovë.