Prishtinë, 14 gusht 2024 – Gjykata Komerciale e Kosovës, ka publikuar raportin e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, duke prezantuar të dhëna të rëndësishme mbi performancën e saj në zgjidhjen e lëndëve.
Bazuar në të dhënave statistikore të raportuara, Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka trashëguar 780 lëndë nga viti paraprak, ka pranuar 1.227 lëndë të reja dhe ka zgjidhur 1.268 lëndë gjatë periudhës janar – qershor 2024, duke lënë në punë 739 lëndë. Me një normë të spastrimit prej 103.34%, Dhoma e Shkallës së Dytë ka shfaqur një efikasitet të lartë në zgjidhjen e lëndëve.
Dhoma e Shkallës së Parë e kësaj gjykate për periudhën janar – qershor 2024, ka trashëguar 8.459 lëndë nga viti paraprak, ka pranuar 2.884 lëndë të reja dhe ka zgjidhur gjatë kësaj periudhe 2.928 lëndë, ndërsa kanë mbetur në punë 8.415 lëndë. Norma e spastrimit të lëndëve ka shfaqur një efikasitet të lartë në zgjidhjen e lëndëve për këtë periudhë edhe në Dhomat e Shkallës së Parë në masën e 101.53%.
Në përgjithësi, për periudhën janar – qershor 2024, Gjykata Komerciale ka shënuar një normë të spastrimit të lëndëve prej 102.07%, duke demonstruar një performancë të qëndrueshme në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve gjyqësore.
Gjatë kësaj periudhe, Gjykata ka nisur së zbatuari Sistemin për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL), duke regjistruar të gjitha çështjet gjyqësore në këtë sistem modern, që pritet të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin dhe transparencën e punës së saj.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe është miratuar Strategjia e Gjykatës Komerciale për vitet 2024 – 2025 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Kjo strategji shënon hapin e parë drejt planifikimit strategjik të gjykatës, me qëllim të rritjes së cilësisë së vendimeve, qasjes dhe besueshmërisë së publikut, si dhe profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet tjera.
Në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies, Gjykata ka publikuar në ueb portalin gjyqësor 3.391 vendime gjyqësore, të cilat janë lehtësisht të qasshme për publikun. Gjithashtu, janë lëshuar mbi 5.000 certifikata për biznese, 250 prej të cilave përmes aplikimit online, duke lehtësuar kështu qasjen dhe shërbimet për qytetarët dhe bizneset.
Gjithashtu, Zyra e Ndërmjetësimit e Gjykatës Komerciale ka referuar 63 raste në procedurën alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke ofruar alternativa efektive për zgjidhjen e konflikteve jashtë gjykatës.
Gjykata Komerciale e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të saj dhe në rritjen e besimit të publikut.