Gjykata Komerciale vlerësohet me çmimin “Gjykata më Transparente” për vitin 2023

Gjykata Komerciale vlerësohet me çmimin “Gjykata më Transparente” për vitin 2023

Gjykata Komerciale e Kosovës është vlerësuar me çmimin “Gjykata më Transparente për vitin 2023”. Ky çmim është ndarë gjatë një tryeze të organizuar nga Lëvizja FOL, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL).Tryeza me temën “Rritja e Transparencës së Gjyqësorit përmes publikimit të vendimeve gjyqësore për vitin 2023”, u mbajt për të prezantuar gjetjet nga monitorimi sistematik i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit të kaluar. Ky aktivitet synon të rrisë transparencën dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor të vendit.

Gjykata Komerciale e Kosovës u shpërblye me çmimin “Gjykata më Transparente”, në vlerësim të publikimit të mbi 4,400 aktgjykimeve gjatë vitit 2023.Në fjalën e tij,

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, falënderoi organizatorët dhe përgëzoi të gjitha gjykatat që kanë kontribuar në transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor. “Ky çmim është një dëshmi e përkushtimit tonë për të siguruar që çdo vendim gjyqësor të jetë i qasshëm për qytetarët. Ndërsa falënderojë Këshillin Gjyqësor të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë fazë jo të lehtë të konstituimit dhe kompletimit të gjykatës. Ky çmim, edhe përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat është ballafaquar Gjykata Komerciale si gjykatë e re, është vlerësim i përpjekjeve të gjyqtarëve dhe stafit të kësaj gjykate, me qëllim të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të qasjes në vendimet gjyqësore”, u shpreh Tutuli.

Në anën tjetër kryesuesi i KGjK-së z. Albert Zogaj, duke falënderuar Lëvizjen Fol dhe INL, tha se publikimi i aktgjykimeve jo vetëm që rrit transparencën, por gjithashtu promovon llogaridhënien dhe besimin në sistemin gjyqësor duke shtuar se fakti i publikimit të mijëra aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës është dëshmi e përkushtimit të gjyqësorit për të siguruar qasje të plotë për publikun.

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura dhe progresin e bërë nga gjykatat e Kosovës, e në veçanti Gjykata Komerciale, “Jemi krenarë që Gjykata Komerciale, një qendër e vetme për kontestet e lidhura me biznesin që synon të përmirësojë mjedisin biznesor në Kosovë, rritjen e sektorit privat dhe investimet e huaja direkte, është pranuar në këtë kohë. Gjykata Komerciale jo vetëm që ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj transparencës, por është dëshmuar edhe të jetë efikase. Në vitin e saj të parë, Gjykata Komerciale arriti një normë prej 113% të zgjidhjes së lëndëve, duke zgjidhur më shumë lëndë sesa që kishte pranuar. Ky sukses është i dukshëm”, me ç’rast ka inkurajuar vazhdimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, shprehi gatishmërinë për mbështetjes e INL ndaj sistemit gjyqësor dhe shoqërisë civile, me qëllim që të monitorohet dhe të komentohet performanca e gjyqësorit.

Çmimi “Gjykata më Transparente” është një nismë e rëndësishme që motivon gjykatat për të qenë më të hapura dhe të qasshme për qytetarët, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe të besueshëm.