Prshtinë, 27 prill 2024 – Gjykata Komerciale e Kosovës ka zhvilluar sot një takim orientues për stafin e saj, i mbështetur nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale. Ky takim përfshiu një seri prezantimesh dhe diskutimesh të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë veprimtarinë dhe efikasitetin e Gjykatës për vitet 2024-2025.
Fjalët hyrëse u dhanë nga Mahir Tutuli, Kryetar i Gjykatës Komerciale, Qemajl Marmullakaj, Zëvendësdrejtor i Programit për Drejtësi Komerciale dhe Ismet Musliu, u.d. Administratori i Gjykatës Komerciale, të cilët shtruan prioritetet dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit, u zhvillua një aktivitet hyrës ekipor dhe u bë prezantimi i Strategjisë së Gjykatës Komerciale për vitet 2024-2025, duke nënvizuar kështu angazhimin për përmirësim të qëndrueshëm. U diskutua gjithashtu mbi bashkëpunimin mes stafit të Gjykatës, detyrat e tyre specifike dhe mbështetjen ligjore që do të ofrohet për të garantuar një qasje të qartë dhe efikase ndaj çështjeve komerciale.
Më tej, prezantimi i Planit të Punës për vitin 2024 i prezantuar para stafit, parashikoi iniciativa të reja dhe koordinimin e përbashkët për aktivitetet e ardhshme, duke siguruar që Gjykata të vazhdojë të jetë një institucion model në fushën e drejtësisë komerciale.Diskutimet u mbyllën me një fokus në ndërmjetësimin komercial dhe në rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies për të ruajtur integritetin dhe besimin publik në veprimtarinë e Gjykatës Komerciale.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të strategjive që synojnë përmirësimin e shërbimeve dhe efikasitetit të Gjykatës Komerciale, me mbështetjen e vazhdueshme të USAID.