Reagim

Reagim

Prishtinë, 30.01.2024 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), reagon në shkrimin e portalit Paparaci, të publikuar sot me titullin: “Tre gjyqtarë të lidhur me pushtetin, vihen në aksion kundër bizneseve”, sipas të cilit tre gjyqtarë të Gjykatës Komerciale të Kosovës aludohet se janë përfshirë në nxjerrjen e aktvendimeve në favor të interesave qeveritare.

KGJK shpreh paknaqësinë lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë përfshirë mediat, se këto pretendime janë të pabaza dhe dëmtojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit, integritetin e gjyqtarëve në fjalë dhe konsiderohen ndërhyrje e drejtëpërdrejtë në punën e gjyqësorit.
E njoftojmë publikun e gjerë se gjyqtarët në fjalë janë emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në funksionin e anëtarëve të Komisionit të Jurisprudencës, mbi bazën e përgatitjes së tyre profesionale dhe të fushës përkatëse që ata mbulojnë.
Gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrës të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje në vendimmarrje janë të papranueshme, pasi që ndaj çdo vendimi gjyqësor është e garantuar e drejta e kundërshtimit në procedura të rregullta gjyqësore dhe në instancat e parapara gjyqësore.
KGJK i fton të gjithë të përmbahen nga komentimi i vendimeve gjyqësore, ndërsa ne mbesim të përkushtuar për transparencën, paanësinë dhe pavarësinë e gjyqësorit.