Prishtinë – 18 shtator 2024 – Kryetari i Gjykatës Komerciale z. Mahir Tutuli, ishte pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Programi i USAID-it për Drejtësinë Komerciale dhe Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës Ekonomik, me temën “Reformat Ligjore dhe Drejtësia Komerciale në Kosovë: Roli i tyre në Fuqizimin e Bizneseve të Grave dhe Minoriteteve”.
Kryetari Tutuli, ishte pjesë e panelit ku u diskutua roli dhe përfitimet që Gjykata Komerciale dhe Ndërmjetësimi Komercial ka ofruar për bizneset, me theks për ato të grave dhe pakicave etnike.
Gjatë kësaj konference, u diskutua se si ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, dhe të drejtësisë komerciale në veçanti ndikojnë te bizneset e grave dhe ato të pakicave etnike. Njëherësh, u theksua se një siguri më e madhe juridike për komunitetin e biznesit ne Kosove, mbetet parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sektorit privat.
Tutje në konferencë u përmend se si Gjykata Komerciale ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjitha bizneset, duke ofruar një platformë të specializuar për zgjidhjen e kontesteve.
Pjesë e këtij paneli ishin edhe anëtarë të Bordit të Odës së Ndërmjetësuesve, avokat dhe Drejtoresha ekzekutive e STIKK, të cilët gjatë diskutimit përmendën të arriturat kryesore të Gjykatës Komerciale, si dhe sfidat që i ka has që nga fillimi e deri më sot.


