Prishtinë, 1 nëntor 2023, Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, së bashku me gjyqtarët e Gjykatës Komerciale, kanë pritur sot në takim Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës – Fejzullah Rexhepi, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, dhe Afrim Shala, Kryetar i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, dhe eksperti nga USAID John Ferry.
Në këtë takim, u vlerësua lartë performanca e gjyqtarëve në zgjidhjen efikase të lëndëve. Po ashtu, u diskutua për progresin e gjykatës në zbatim të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025. Diskutimi përfshiu edhe lëndët që janë në fokus të këtij Plani, përfshirë ato të kthyera në rigjykim dhe lëndët e vjetra më shumë se dy (2) vite.
Kryesuesi Zogaj shprehu kënaqësinë e tij për performancën e shkëlqyer të gjyqtarëve dhe Gjykatës në zgjidhjen e lëndëve, dhe shprehu njëherësh shqetësimin lidhur me lëndët që vazhdojnë të dërgohen në kompetencë të Gjykatës Komerciale nga Gjykatat e Kosovës.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, theksoi se efikasiteti i gjykatës për këtë periudhë është treguesi më i mirë për respektimin e strategjisë dhe afatefe ligjore, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me institucionet tjera të drejtësisë.
Takimi u karakterizua nga një bashkëpunim i ngushtë dhe një dialog të hapur në mes të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryetarit të Komisionit për monitorimin dhe vlerësimin e Planit Strategjik, dhe gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale.