Prishtinë, 25 shtator 2023 – Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahir Tutuli, me rastin e shënimit të Javës së Ndërmjetësimit në Kosovë, ka marrë pjesë në panelin e Diskutimit mbi Ndërmjetësimin Komercial, të organizuar nga Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale dhe Asociacioni i ICT-së në Kosovë.
Në fjalën e tij, Kryetari Tutuli vlerësoi punën e Gjykatës Komerciale në promovimin dhe funksionalizimin e zyrës së ndërmjetësimit gjatë muajit maj të vitit 2023. Ai raportoi se gjatë këtij periudhe, janë zgjidhur me marrëveshje dy raste, ndërkohë që nxit gjyqtarët dhe palët të referojnë më shumë raste për ndërmjetësim, me qellim të shpejtimit dhe lehtësimit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Në të njëjtën kohë, Kryetari Tutuli bëri thirrje për një promovim më të madh të ndërmjetësimit si mjet i fuqishëm dhe efikas për zgjidhjen e kontesteve komerciale. Ai theksoi se Java e Ndërmjetësimit është një moment i veçantë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij procesi, i cili ofron një zgjidhje të shpejtë, efikase dhe më ekonomike në krahasim me procedurat gjyqësore tradicionale.
Paneli i Diskutimit ku pjesëmarrës ishin panelist nga Ministria e Drejtësisë, programi i USAID për Drejtësi Komerciale dhe Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, ofroi një platformë për shkëmbimin e informatave dhe adresimin e temave relevante lidhur me ndërmjetësimin komercial. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të ndajnë opinionet, eksperiencat dhe perspektivat e tyre të biznesit, duke kontribuar në avancimin e këtij procesi të rëndësishëm për komunitetin biznesor në Kosovë.