Prishtinë, 21 qershor 2023 –U.D. Administratori i Gjykatës Komerciale – Ismet Musliu, ka pritur sot në takim Ish-gjyqtarin nga SHBA-të, njëherit konsulent me përvojë të gjerë në qeverisjen e gjykatave dhe menaxhimin e proceseve gjyqësore – James Haines, për të zhvilluar një seancë mentorimi me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojave për rolin e administratorit në gjykatë si menaxher i stafit, si dhe për rëndësinë e tij si faktor kyç në procesin e mbarëvajtjes së punës.
Ky sesion i mentorimit është realizuar me mbështetjen e Programit të USAID – Drejtësia Komerciale.
Gjatë këtij sesioni u.d. administratori Musliu, ka përfituar nga një rrjedhë e vazhdueshme e informacioneve të çmuara nga eksperti amerikan. Diskutimet kryesisht ishin të përqendruar në strategjitë dhe metodologjitë e avancuara për menaxhimin e stafit administrativ.
Eksperti amerikan, me këtë rast ka ndarë me z.Musliu, praktikat më të mira dhe rekomandimet për hartimin e politikave efektive për zhvillimin profesional të stafit administrativ, si dhe për forcimin e kapaciteteve të tyre në fushën e menaxhimit. Diskutimet gjithashtu kanë përfshirë temat e motivimit të punonjësve, krijimit të një kulture të mësimit dhe inovacionit, si dhe identifikimin e sfidave specifike në menaxhimin e stafit.