Prishtinë, 19 qershor 2023 – Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahir Tutuli, priti sot në takim ish-gjyqtarin nga SHBA-të, njëherit konsulent me përvojë të gjerë në qeverisjen e gjykatave dhe menaxhimin e proceseve gjyqësore – James Haines, për të zhvilluar një seancë mentorimi me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e drejtësisë komerciale. Ky sesion i mentorimit është realizuar me mbështetjen e Programit të USAID – Drejtësia Komerciale.
Kryetari Tutuli, me këtë rast tha se ky sesion do të sjell një kontribut të vlefshëm në përmirësimin e udhëheqjes dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional të tij në menaxhimin e Gjykatës Komerciale.
Në anën tjetër ish gjyqtari Haines, me këtë rast ndau mendime, praktika dhe strategji të suksesshme nga përvoja e tij me Kryetarin Tutuli.
Synimet afatshkurtra të Gjykatës, si temë e këtij takimi, përfshijnë përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe ofrimin e shërbimeve efikase në fushën e drejtësisë komerciale. Në të ardhmen, gjykata synon të promovojë sigurinë juridike dhe të përmirësojë klimën e të bërit biznes në vend. Ndër synimet afatgjata, Gjykata, ka për qëllim që të ndërtojë një sistem gjyqësor tërësisht të pavarur, transparent dhe të besueshëm, duke siguruar që drejtësia të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Roli i Kryetarit të Gjykatës Komerciale të Kosovës është thelbësor në funksionimin e drejtë dhe efikas të institucionit. Si kryetar, z.Tutuli ka përgjegjësinë në koordinim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për të udhëhequr dhe koordinuar veprimtaritë e Gjykatës Komerciale, për të përfaqësuar institucionin para KGjK-së, institucioneve të tjera dhe kolegëve në gjykatën e shkallës së parë dhe të dytë. Ai gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në drejtimin e stafit të gjykatës dhe sigurimin e shërbimeve të larta cilësore për qytetarët dhe bizneset.
Programi i USAID-it për Drejtësi Komerciale, në vazhdimësi ka mbështetur përpjekjet e sistemit gjyqësor, përkatësisht Gjykatës Komerciale në funksionalizimin e plotë të saj, për të përmirësuar qasjen në drejtësi dhe për të ngritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë.