Prishtinë 3 nëntor 2022 – Me propozim të kryetarit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 297, ka caktuar gjyqtaren Saranda Bogaj Sheremeti nënkryetare të Gjykatës Komerciale.
Gjyqtarja Saranda Bogaj Sheremeti është zgjedhur nënkryetare e Gjykatës Komerciale, me mandat pesë vjeçar, njëjtë sikurse mandati i Kryetarit të Gjykatës Komerciale.
Në vijim gjeni biografinë e gjyqtares Bogaj Sheremeti:
Saranda Bogaj – Sheremeti është gjyqtare në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. Gjyqtarja Bogaj-Sheremeti ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 2004, ndërsa provimin e Jurisprudencës e përfundoi në vitin 2005. Nga viti 2004 – 2005 ajo ushtroi detyrën e praktikantes në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ushtroi detyrën e këshilltares ligjore në Qendrën e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, ndërsa nga viti 2008 deri më 2012 ka ushtruar detyrën e Avokates tek Oda e Avokatëve të Kosovës. Më 2012 është emëruar gjyqtare në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë. Me 01.01.2013 Bogaj-Sheremeti është emëruar gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm- Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa më 1 qershor 2022 është emëruar gjyqtar në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale të Kosovës.